Europa duket se po përballet me një valë të dytë të koronaviruait, sepse shifra rekord të infektuarish janë shënuar në disa nga shtetet kryesore. Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Gjermania, Franca etj, janë ndër vendet më problematike duke raportuar mijëra raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit.

Si Spanja dhe Franca tejkaluan 1 milion raste të regjistruara me Covid-19 të mërkurën, duke ju bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara, Indisë, Brazilit, Rusisë dhe Argjentinës. Republika Çeke duket se është në gjendje më kritike, sepse deri më tani ka numrin më të lartë të rasteve të reja dhe vdekjeve për 100,000 banorë. Për këtë arsye në Çeki është vendosur një karantinë e pjesshme duke nisur nga sot deri në nëntor, udhëtimet dhe kontaktet janë të kufizuara, të gjitha dyqanet e panevojshme dhe shërbimet janë të mbyllura.

Ndërkohë kryeministri francez Jean Castex njoftoi të enjten se qeveria do të zgjasë shtetrrethimin nga ora 21:00 e darkës deri në orën 06:00 të mëngjesit në Paris dhe qytete të tjera të Francës dhe Polinezisë, duke filluar të premten në mesnatë. Banorët duhet të shkarkojnë një certifikatë për aktivitetet e lejuara të tilla si udhëtimi, ikja në punë, për kujdes mjekësor, për të vizituar një të afërm ose për të ecur me një qen.

Edhe kreu i qeverisë greke njoftoi ndalimin e lëvizjeve me makinë nga ora 00:30 deri në 05:00 të mëngjesit në zonat e cilësuara si “të kuqe” apo “të verdha” në raport me numrin e rasteve me koronavirus. Greqia shënoi sot 882 raste të reja me koronavirus, ndërsa humbën jetën 15 persona.

Edhe Gjermania, që ka shërbyer si model për menaxhim të mirë të valës së parë të pandemisë ka regjistruar një shifër rekord brenda 24 orëve, rreth 11,300 raste të reja. Ndërsa Italia vijon të jetë një ndër shtetet problematike përsa i përket numrit të rasteve të reja me Covid dhe në rajonin më të rrezikuar, në Lombardi, është vendosur si masë parandaluese shtetrrethimi gjatë natës për tre javë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here